As ndërprerja e energjisë elektrike në stadiumin e Nju Orlins dhe as një pjesë e dytë e ethshme e San Franciskos nuk ndali Baltimorën në rrugën e saj drejt fitores 34-31 në “SuperBowl XLVII”.
Pasuesi i kësaj skuadre, Xho Flako, fitoi me të drejtë titullin e MVP për këtë ndeshje me një paraqitje mbresëlënëse, duke kompletuar 22 nga 33 pasime, në një total prej 287 jard dhe 3 “touch down”. Pasimet e Flako sollën një avantazh 21-6 të Baltimorës në pushimin e ndeshjes, me pikët e shënuara nga Ankuan Boldin, Denis Pita dhe Xhekobi Xhouns.
Por pak pas fillimit të pjesës së dytë të ndeshjes, stadiumi i Nju Orlins ku luhej finalja, u mbulua nga errësira për shkak të një defekti elektrik dhe ndeshja u ndërpre për 35 minuta. Me rikthimin e energjisë elektrike, San Francisko duket se gjeti forca të reja, duke shënuar 17 pikë në më pak se 5 minuta për të rihapur plotësisht ndeshjen, falë edhe kontributit të pasuesit Kolin Kapernik, i cili në ndeshjen e tij të 10-të mes profesionistëve shkëlqeu, duke hyrë edhe në librin e rekordeve me një vrapim prej 15 jardësh për një “touch down”, më i gjati në historinë e “SuperBowl” nga një lojtar i pozicionit të tij.
Por gjuajtjet radhazi nga distanca të Xhastin Taker i dhanë këtë sukses skuadrës së Baltimorës, me trajnerin Xhon Harbou që mundi vëllain e tij Xhim Harbou, trajner i San Franciskos, skuadër që mundej për herë të parë në finalen e turneut, pasi kishte fituar të 5 tentativat e mëparshme. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 February 2013 10:07