Krahasimet mes Andrea Stramaçionit dhe Zhoze Murinjos kanë filluar të bëhet gjithnjë e më konkrete, sidomos për mënyrën se si zikaltërit janë kthyer protagonistë në luftën për titull, duke arritur fitoren e 5-të radhazi në kampionat dhe si reagon trajneri i ri pas sukseseve.
“Mua më pëlqen ajo që pashe te Interi, vuajtëm në fillim të ndeshjes nga të dy krahët e fushës, por treguam shpirt luftarak për të marrë këtë sukses. Sipas mendimit tim kjo ishte një ndeshje e luajtur mirë. Po ecim para dhe jam i lumtur me këtë progres që po bëjmë”, tha ai për faqen e internetit të klubit zikaltër.
Duke komentuar pikërisht arritjet e tij dhe krahasimet me Murinjon, Stramaçioni është munduar që të frenojë entuziazmin e tifozëve që kanë filluar të ëndërrojnë që tani për një tjetër sukses si ai i vitit 2010 dhe presin me padurim sfidën ndaj Juventusit.
“Unë thjesht mundohem të bëj pjesën time dhe jam krenar që jam trajneri i Interit. Kur një skuadër fiton 8 ndeshje jashtë fushe, kjo është një shenjë e forcës së grupit. Këto rezultate do të thonë se jemi të përqendruar dhe të motivuar”, tha trajneri i cili më pas ka preferuar të mos komentojë ndeshjen e Juventusit me Katanian dhe fitoren mes polemikave të kryesuesve të Serisë A, me të cilët do të ndeshet të shtunën.
“Fillimisht luajmë me Sampdorian në mesjavë, të mos e harrojmë një gjë të tillë. Ndaj ndeshjen e Juventusit nuk e pashë”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 October 2012 11:20