Gara e të dielës në Valencia do të jetë e fundit për Kejsi Stoner si një pilot i MotoGP. Ashtu siç ka deklaruar shumë kohë më parë, me përfundimin e kësaj gare, dy herë kampioni i botës do të braktisë garat me motorë.
“Problemi nuk është pasioni im, është pasioni që mungon tashmë në pistë, ai që kisha gjetur kur isha më i ri në bokse dhe që më ka shtyrë të garoj me tutat e veshura gjatë këtyre viteve”, shpjegon Stoner.
“Megjithatë, ka patur shumë arsye që më kanë shtyrë të vendos të ndalem. Një ditë do t’i shpjegoj edhe detajet. Tani, me pak fjalë, them se kam humbur respektin për këtë kampionat dhe nuk miratoj drejtimin që ka marrë ai”, deklaroi Stoner, duke lënë të kuptohet se prapaskenat e garave e kanë detyruar të largohet nga bota e MotoGP.
Por australiani nuk ka ngurruar të theksojë në fund se do të bëjë tifozllek për dy spanjollët Pedrosa e Lorenco, duke injoruar plotësisht Valentino Rosin, me të cilin ka patur shpesh debate të zjarrta jashtë pistës.
“Tani dua t’i përkushtohem familjes dhe do të shoh garat nga televizori. Tifoz i kujt do të jem nga viti i ardhshëm? I Lorenco dhe Pedrosa, me të cilët kam dueluar me respektin maksimal”, deklaroi Stoner. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 November 2012 18:00