Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit (UCI) është përballur me një serë akuzash të reja pasi një prej sponsorëve të saj kryesorë e akuzoi si “bashkëpunëtore” për të fshehur skandalin e dopingut të Lens Armstrong.
Xhemi Fuler, drejtori i përgjithshëm i firmës australiane të veshmbathjeve “Skins”, që ka sponsorizuar me rreth 10 milionë dollarë këtë Federatë në 5 vitet e fundit, pretendon se sponsorët janë dëmtuar rëndë nga ky skandal i përmasave të jashtëzakonshme. Tashmë kjo kompani kërkon një dëmshpërblim prej më shumë se 2 milion dollarësh nga UCI.
“Kjo është një çështje që mund të shërbejë në të ardhmen për t’u marrë si shembull edhe në sallat e gjyqeve”, tha Fuler. “Kur sporti ndeshet në probleme, të gjithë hedhin sytë nga federatat ndërkombëtare që të zgjidhin situatën. Kjo është një situatë krejtësisht e rrallë kur federata ndërkombëtare është në fakt bashkëpunëtore në atë që po ndodhte”.
Sipas tij, presidenti aktual i UCI, Pat MekKueid dhe paraardhësi i tij, Hein Verbrugen, duhet të pranojnë përgjegjësinë se nuk kanë arritur të përballojnë Armstrong, të cilit vetëm një javë më parë iu hoqën të 7 titujt e fituar në Turin e Francës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 November 2012 14:20