Pas dy vitesh në Dukati, Valentino Rosi është kthyer më në fund në drejtimin e një motori Jamaha, por pa arritur t’i gëzohet plotësisht atij, pasi reshjet e shiut në pistën e Valencias nuk ia kanë mundësuar një gjë të tillë.
Ndonëse kthimi i Rosit te skuadra japoneze kishte ditë që përgatitej, kushtet meteorologjike nuk kanë qenë të duhurat që piloti italian të tregonte ndryshimin mes motorit të ri dhe atij Dukati. Për shkak të reshjeve të shumta dhe një shiu që ka bërë pistën thuajse të papraktikueshme, “Doktori” ka kompletuar vetëm 20 xhiro, duke regjistruar kohën e 6-të më të mirë mes atyre që guxuan të bënin disa xhiro në pistë, pasi kishte pilotë si Pedrosa e Lorenco që qëndruan gjatë gjithë kohës në bokset e skuadrës.
Piloti italian ka treguar dëshirën e tij të madhe për të garuar përsëri me një motor që i përshtatet edhe duke qenë i vetmi në pistë për disa xhiro me radhë, atëherë kur të gjithë pilotët e tjerë e shihnin si të papraktikueshëm dhe të rrezikshëm asfaltin e Valencias. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 November 2012 16:59