Shën Valentini është kthyer në një tragjedi për Oskar Pistorius, i cili pa dashje ka vrarë të dashurën e tij, e cila po mundohej t’i bënte një surprizë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit, në fermën e atletit 26 vjeçar në Pretoria, pranë Johanesburgut, kur ish-modelja Riva Stenkamp po mendonte t’i bënte surprizë atij ndërsa po flinte. Por Pistorius, sipas raporteve të policisë lokale, e ka qëlluar me armë zjarri në kokë, gjoks dhe krah, duke e lënë të vdekur në vend, pasi mendohet se e ka ngatërruar me një hajdut që po tentonte të hynte në shtëpinë e tij.
Pistorius është dorëzuar menjëherë në polici, ndërsa pritet që të dalë para gjyqit pasi ndaj tij është hapur një hetim për vrasje, siç është konfirmuar nga policia afrikano-jugore.
Ironikisht, vetëm një ditë më parë, viktima kishte shkruan në Twitter se po bëhej gati të festonte Shën Valentinin. “Çfarë keni përgatitur për dashurinë tuaj në ditën e nesërme?”, ishte mesazhi i Stenkamp, një modele 30 vjeçare mjaft e famshme në Afrikën e Jugut që prej dy muajsh kishte një marrëdhënie sentimentale me atletin afrikano-jugor.
Ngjarja vazhdon të mbetet ende në mister, derisa të konfirmohet versioni i “surprizës tragjike”.
Për momentin, ajo që dihet është se Pistorius ka konfirmuar që më parë se flinte natën me një pistoletë 9 mm pranë kokës, ajo me të cilën mendohet se ka qëlluar të dashurën e tij, duke pasur parasysh se Afrika e Jugut është një nga vendet me shkallën më të lartë të krimeve në botë dhe vjedhjet në fermat e personave VIP ishin mëse të zakonshme. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 February 2013 13:16