Çmimi i Madh i Valencias në MotoGP do të jetë mundësia e fundit për të parë Valentino Rosin në drejtimin një motori Dukati, por duket qartësisht që piloti italian është i lumtur që më në fund po largohet nga kjo skuadër për t’u kthyer te Jamaha.
“Në karrierën time nuk kisha gabuar asnjëherë zgjedhje. Duke shkuar te Dukati, bëra një gabim”, pranoi piloti italian në një intervistë për “Sport Rider Magazine”. “Sot kemi të njëjtat probleme që kemi shfaqur edhe në testet para sezonit në Valencia. Kështu ke ndjesinë që ke humbur shumë kohë kot”.
“Kejsi Stoner ka qenë i vetmi pilot që ka mundur të ecë në maksimum me këtë Dukati, të gjithë të tjerët janë shkatërruar psikologjikisht nga një eksperiencë e tillë. Ndaj më duhet t’i bëj komplimentet e mi Kejsit për këtë arritje”, vijon italiani, që konfirmoi se pret tashmë të shkojë sa më shpejt te Jamaha dhe të rifillojë punën me një motor që i përshtatet më shumë.
“Pas garës së Valencias do të kthehet në drejtimin e Jamaha dhe për mua do të jetë një test i rëndësishëm. Aty do të kem mundësinë të kuptoj shumë gjëra. E di që më pret një sfidë mjaft e vështirë”, pranoi “Doktori” që do të kthehet në radhët e skuadrës japoneze si numri 2, pasi lideri i skuadrës tashmë është Horge Lorenco. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 November 2012 09:56