Kristiano Ronaldo ka bërë të qartë se sfida e të mërkurës ndaj Gallatasarajit do të jetë një mundësi e mirë për Real Madrid që t’i afrohet më shumë fitores së Ligës së Kampioneve numër 10 që po i ikën nga duart prej shumë vitesh.
“E dimë të gjithë që këtu në Madrid, të gjithë duan trofeun e dhjetë dhe ai është një objektiv i klubit. Të gjithë ne lojtarët e dimë rëndësinë që ka fitorja në Ligën e Kampioneve, por e kam thënë që duhet të ecim hap pas hapi në këtë drejtim”, tha CR7.
“Jemi paraqitur mirë në “Kamp Nou”, ashtu si ndaj Mançester Junajtid dhe në fushën tonë përsëri kundër Barcelonës. Gjërat po ecin mjaft mirë për ne, pasi kemi fituar më shumë besim në vetvete. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe sigurisht që do të jem i përqendruar duke kërkuar të ndihmoj skuadrën të fitojë përsëri”.
“Ne thjesht duhet të jemi të përqendruar si gjithmonë, sidomos në mbrojtje. Maksimumi është të luajmë siç kemi bërë gjithmonë në fushën tonë në Ligën e Kampioneve. E dimë që Gallatasaraj është një skuadër që sulmon shumë dhe kjo është pozitive për ne. Kur një skuadër luan hapur kundër nesh, atëherë kemi më shumë mundësi për të fituar ndeshjen. Kjo do të jetë një ndeshje shumë e hapur por edhe shumë e ekuilibruar”, ishte parashikimi i Kristiano Ronaldos për sfidën e të mërkurës. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 19:55