Ronaldinjo mendon se Bajern Mynih ka grupin e duhur të lojtarëve për të synuar fitoren në Ligën e Kampioneve në këtë edicion, edhe pse përballë që në gjysmëfinale do të ketë ish-skuadrën e tij, Barcelonën.
“Bajerni ka të gjitha cilësitë që i nevojiten për të fituar Ligën e Kampioneve. Kush është lojtari më i rëndësishëm i tyre? Shvajnshtajger, ai është një lojtar i një niveli superior, lideri i kësaj skuadre. Cilin gjerman do të dëshiroja në skuadër me mua? Gëtze të Borusia Dortmund. Ka fizikun, teknikën dhe aftësitë të të ndihmojë të fitosh ndeshjet”, tha fantazisti brazilian rreth yllit të ri të futbollit gjerman.
Më pas, Ronaldinjo ka folur edhe rreth atij që cilësohet si lajmi i vitit të futbollin evropian, kalimin e Pep Guardiolës në pankinën e Bajern Mynih.
“E njoh mirë, edhe pse nuk kam pasur fatin të punoj me të. Unë e di se si punon për atë që ka bërë te Barça B kur unë gjendesha në Spanjë. Përveçse të jetë një trajner i madh, ai është edhe një njeri i jashtëzakonshëm”, ishin fjalët e brazilianit për trajnerin që nuk e deshi në radhët e katalanasve kur mori drejtimin e skuadrës dhe autorizoi menjëherë largimin e tij drejt Milanit. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 12:19