Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, ka pranuar se superioriteti i Bajern Mynih ndaj katalanasve ishte i padiskutueshëm dhe se këta të fundit nuk duhej të cilësoheshin më si ekipi më i fortë në Evropë.
“E vërteta e pamohueshme është që 45 minutat e dyta kanë qenë shumë të vështira. Kur një ekip është kaq superior ndaj teje, thjesht duhet ta përgëzosh. Mendoj se ishte e drejtë kështu. Tani na duhet të përgatitemi që të mbyllim sa më parë kampionatin dhe të fillojmë të mendojmë se në vitin e ardhshëm duhet të marrim disa vendime të rëndësishme”, tha ai duke iu referuar ndryshimeve të mundshme në skuadër dhe në mënyrën e lojës të katalanasve, që tani nuk bindin më dhe u mungon qartësisht diçka për t’u cilësuar përsëri mes ekipeve elitare.
Futbollisti ka shpjeguar se edhe prania e Mesit në fushë nuk do të kishte ndryshuar sjelljen e ekipit dhe se gjërat mund të kishin rrjedhur në të njëjtën mënyrë.
“Kuptohet që kur nuk luan Leo, nuk është e njëjta gjë. Por mendoj se kemi bërë një pjesë të parë të mirë edhe pa të në fushën e lojës dhe në sjelljen e ekipit nuk ndikoi aspak mungesa e tij në fushë”.
Mbrojtësi më pas ka hedhur poshtë idenë se katalanasit ishin të qetë pasi të paktën në finale nuk kishte shkuar as Real Madrid.
“Për ne, dhimbja e eliminimit është e njëjtë, si të humbte, ashtu edhe të fitonte Real Madrid”, tha Pike. (LajmeShqip.com)
Thursday, 02 May 2013 10:25