Franc Bekenbauer është detyruar të lëshojë një deklaratë për shtyp, duke dashur të sqarojë komentet e bëra një ditë më parë rreth Barcelonës, ku paralajmëroi Bajernin se katalanasit do të luanin “lojë të pisët”.
Në deklaratën e lëshuar për “Bild” një ditë më parë, presidenti i nderit i bavarezëve mes të tjerave tha se “Barcelona do të provojë çdo metodë për të realizuar përmbysjen, metoda të ligjshme dhe të paligjshme”.
Por dje, në faqen zyrtare të internetit të Barcelonës është publikuar një përgënjeshtrim i Bekenbauer, në të cilin ai kërkon falje për keqkuptimin e fjalëve të tij.
“Unë thashë vetëm se Barça do të bëjë çdo gjë që ka në mundësi për të shkuar në finale, por jo nëpërmjet rrugëve të paligjshme. Kur them se ato do të përdorin çdo gjë që kanë në dispozicion, i referohem vënies nën trysni të rivalëve, diçka që është e ligjshme në fushën e lojës, është diçka që unë e kam bërë si lojtar dhe si trajner gjatë karrierës time”.
“Barça është një prej klubeve më të mëdha dhe të ndershme që ekzistojnë në botë dhe unë i admiroj. Jam i bindur se loja e ndershme do të mbizotërojë në ndeshjen e të mërkurës. Dy skuadrat do të bëjnë maksimumin për të shkuar në finale dhe kjo është ajo që kisha si qëllim të thosha me fjalët e mia”, shpjegoi Bekenbauer. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 12:03