Roberto Karlos mendon se Real Madridi aktual është më i fortë dhe ka më shumë mundësi për sukses sesa skuadra në të cilën ai luante disa vite më parë. Ish-mbrojtësi brazilian ka luajtur më shumë se 300 ndeshje për madrilenët në atë periudhë kur ato morën nofkën “galaktikët” pasi në skuadër kishte emra si Raul, Zidan, Ronaldo, Figo e Bekam.
“Ka pasur gjithmonë lojtarë të mirë në radhët e Real Madrid, por mendoj se kjo skuadër është më e fortë tani sesa në kohën kur luaja unë”, tha 39 vjeçari. “Kjo skuadër është ndërtuar mirë dhe janë shumë më të organizuar se në kohën time”.
Duke folur për takimin e Ligës së Kampioneve ndaj Gallatasarajit, mbrojtësi që ka luajtur edhe në kampionatin turk me fanellën e Fenerbahçes, mendon se spanjollët janë favoritë, por bën thirrje për kujdes ndaj ekipit të Fatih Terim.
“Nëse flasim për taktikë, cilësi dhe alternativa, Reali Madrid është një hap para. por ndeshja e kthimit mund të bëhet shumë e vështirë pasi atmosfera në stadium është mbresëlënëse. Gallatasaraj mund të eliminojë Realin në Stamboll”, ishte paralajmërimi i brazilianit ndaj ish-skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 April 2013 10:21