Shoqata e Prostitutave Nigeriane ka bërë një propozim mjaft të veçantë për futbollistët e këtij vendi, pasi ata kaluan fazën në grupe të Kupës së Kombeve të Afrikës. Lojtarët e kombëtares që mbajnë nofkën “Super Shqiponjat”, do të përfitojnë një javë seks falas nëse arrijnë të fitojnë turneun që po zhvillohet në Afrikën e Jugut.
“Për të treguar mbështetjen ndaj ekipit kombëtar, ne do të shpallim javën e seksit falas, nëse “Super Shqiponjat” fitojnë trofeun”, deklaroi zëdhënësja për shtyp e kësaj shoqate, Xhesika Elvis.
Ajo bëri të qartë se kjo mbështetje ndaj ekipit kombëtar ka filluar prej kohësh, pasi shumë prej anëtareve të shoqatës kanë udhëtuar drejt Afrikës së Jugut për të qenë “shpirtërisht” pranë ekipit kombëtar.
Në fakt, kjo deklaratë është bërë pak orë para se Nigeria të luante kundër Bregut të Fildishtë, në takimin e fituar 2-1 dhe që rezultoi një nga surprizat më të mëdha të turneut, pasi nigerianët mundën favoritët.
Nuk dihet nëse në këtë ndeshje ndikoi premio e vendosur nga Shoqata e Prostitutave, por Nigeria ka realisht shanse të paktën për të shkuar në finalen e turneut, pasi përballë ka kombëtaren e Mali në gjysmëfinale. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 16:15