Federata Atletike e Kosovës (FAK) është pranuar në Federatën Evropiane të Atletikës, në Konventën që është duke u mbajtur në Lozanë të Zvicrës.
Lajmin e ka konfirmuar Federata Atletike e Kosovës, e cila u bë Federata e 51-të në Federatën Evropiane.
Kjo njëherësh nga drejtuesit e FAK-ut konsiderohet si një ditë historike për sportin kosovar, përcjell Zëri.
Federata Atletike e Kosovës është themeluar me 21 shtator në vitin 1991. Prej asaj kohe e deri më sot gjenerata të tëra atletësh, trajnerësh e punëtorë sportiv kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar për avancimin dhe zhvillimin e këtij sporti dhe atletika e Kosovës është shumë mirënjohëse dhe pranimi në IAAF dhe në EAA është pjesë edhe meritë e tyre.
Ka qenë një punë e vazhdueshme për të arritur deri te pranimi, pasi që u hapën dyert për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.
“Na pret punë shumë e madhe, duhet ta zgjerojmë rrethin e angazhimeve dhe në sensibilizimin e sportit të atletikës tek gjeneratat e reja. Pranimi në IAAF dhe EAA jep mundësi për zhvillimin e sportit të atletikës në Kosovë, por është edhe një sfidë me të cilën duhet të përballemi me të gjitha kapacitetet që kemi”, njofton FAK-u.
Friday, 16 October 2015 15:38