Kompanitë e basteve nuk dinë se kë të quajnë favorite në sfidën mes Portugalisë dhe Holandës që me shumë mundësi do të përcaktojë një prej çerekfinalisteve të Euro 2012. “William Hill” nuk ka zgjedhur një ekip favorit për fitoren, dukë i vënë koeficientin 2.8 suksesit të Portugalisë dhe 2.5 atij të Holandës, që në gjuhën e basteve përkthehet si një barazi absolute në forcën e dy skuadrave.
Në një ndeshje që çuditërisht parashikohet të ketë gola të shënuar nga të dy skuadrat, edhe rezultatet e sakta kanë koeficient shumë të lartë, për shkak të paparashikueshmërisë së takimit në fjalë. Vetëm barazimi 1-1 (7.5) dhe fitorja 2-1 e Holandës (9.5) janë nën koeficientin 10, ndërsa mundësia që një nga dy ekipet të realizojë një fitore të pastër 2-0 apo 3-0 duket shumë e vogël.
Ndonëse nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës dhe mbetet një nga zhgënjimet më të mëdha të Euro 2012 deri tani, Kristiano Ronaldo shihet si futbollisti më i favorizuar për të shënuar në këtë sfidë, pasi një gol i tij ka vetëm koeficientin 2.5, ndërsa te Portugalia ndiqet nga Helder Postiga me 3.75.
Dyshja e sulmit Van Persi (2.75) – Huntelar (3) është më e favorizuar për të shënuar nga radhët e skuadrës holandeze, ndërsa mesfushori Arjen Roben ka koeficientin 4.33 për të gjetur rrjetën në këtë sfidë vendimtare për fatet e të dy ekipeve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 June 2012 10:50