Teoria e drejtuesve të Interit për një komplot në dëm të zikaltërve, çuditërisht po gjen mbështetje të vazhdueshme nga vendimet e dyshimta që japin gjyqtarët sa herë që luan skuadra e Moratit. Zikaltërit janë mundur sot 2-0 nga Kaljari, por në rastin e avantazhit të skuadrës sarde, goli ka ardhur me një penallti të dyshimtë.
Në pjesën e parë, Interi dukej më në formë dhe i shkoi më pranë golit, duke goditur edhe shtyllën me Kambiason. Por në pjesën e dytë, kur pritej që zikaltërit të gjenin rrugën e rrjetës, vjen edhe vendimi i dyshimtë i gjyqtarit Çeli në minutën e 63-të të ndeshjes, kur jep një penallti pas kontaktit të Silvestre me Pinija.
Ky i fundit ekzekuton saktësisht duke shënuar golin e avantazhit për ekipin e tij, ndërsa pak minuta më vonë gjen rrugën e rrjetës edhe për golin e dytë të ekipit sard, që i largohet përfundimisht zonës së rrezikshme të klasifikimit. Ndërsa Interi bie në vendin e 7-të, duke qenë tashmë në krizë rezultatesh e lojtarësh, pasi nga fusha e lojës të dëmtuar u larguan Gargano e Nagatomo, me qendërmbrojtësin Samuel që në minutat e fundit luajti si qendërsulmues për të ndihmuar skuadrën të gjente rrugën e rrjetës.
Në ndeshjet e tjera bie në sy fitorja 2-1 e Romës në fushën e Torinos, që i jep mundësinë kryeqytetasve të kapin “kushërinjtë” e Lacios në kuotën e 51 pikëve në vendin e 5-të, që aktualisht siguron vetëm pjesëmarrjen në Europa League. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 32 / Rezultatet
Palermo-Bolonja 1-1
5’ Iliçiç / 17’ Gabiadini
Kievo-Katania 0-0
Kaljari-Inter 2-0
63’ (p), 76’ Pinija
Torino-Roma 1-2
31’ Bianki / 22’ Osvaldo, 60’ Lamela
Xhenoa-Sampdoria 1-1
80’ Matuzalem / 28’ Eder
Parma-Udineze 0-3
12’, 43’ Muriel, 62’ Pereira
Klasifikimi: Juventus 71 pikë; Napoli 62; Milan 58; Fiorentina 55; Roma 51; Lacio 51, Inter 50; Udineze 48; Katania 47; Kaljari 42, Parma 39; Bolonja 38; Atalanta 37; Sampdoria 37, Torino 36; Kievo 36; Siena 30, Palermo 28, Xhenoa 28; Peskara 21. (Penalizime: Atalanta -2, Sampdoria -1, Siena -6, Torino -1).
Sunday, 14 April 2013 17:13