Java e 19-të e Serisë A ka dhuruar shumë surpriza të mëdha përsa i përket rezultateve të skuadrave të kreut, që kanë pësuar humbje të papritura. Juventus, Inter e Fiorentina kanë qenë “viktima” të humbjeve, ndërsa pritej më shumë nga tre ekipe që luftojnë për objektiva të rëndësishëm.
Padyshim që humbja 1-2 e Juventusit në shtëpi përballë Sampdorias mund të cilësohet si rezultati më i bujshëm i kësaj jave. Gjithçka po shkonte mirë për bardhezinjtë të cilët kaluan në avantazh me anë të Xhovinko me penallti dhe ishin edhe në avantazh numerik pas kartonit të kuq të Berardi. Por eksperimenti i Antonio Konte me Peluso në krahun e majtë të mbrojtjes nuk funksionoi, pasi futbollisti i huazuar nga Atalanta ishte protagonist negativ me gabimet e tij në dy golat e shënuar nga Ikardi në pjesën e dytë duke i dhënë një fitore shumë tët rëndësishme skuadrës së Sampdorias.
Por Juventusi të paktën nuk ka humbur pozitat në krahasim me ndjekësit, pasi skuadra që cilësohet si rivalja më e madhe për titull e bardhezinjve, Interi, është mundur me rezultatin 3-0 në fushën e Udinezes. Në fakt, deri në gjysmën e pjesës së dytë ka qenë një ndeshje e hapur, me Interin që i shkoi disa herë afër golit. Por Di Natale me dy gola dhe Muriel fundosën skuadrën e Stramaçionit falë pasigurive në mbrojtje të zikaltërve ku nga mungesat e shumta luante si titullar Kambiaso.
Edhe Fiorentina, një nga surprizat më të këndshme të këtij sezoni, ka regjistruar një humbje të papritur në shtëpi përballë Peskaras, ku portieri i miqve, Perin, ishte “njeriu i ndeshjes” me pritjet e tij ndaj gjuajtjeve të sulmuesve vendas, ndërsa Xhonatas dhe Çelsik në pjesën e dytë plotësuan surprizën me golat e shënuar në portën e mbrojtur nga Neto.
Një gol i Bojan dhe një penallti e Pacinit i mjaftuan Milanit për të fituar 2-1 ndaj Sienës dhe për ta nisur me këmbën e mbarë vitin 2013, duke iu afruar disi skuadrave që luftojnë për Ligën e Kampioneve, edhe pse rruga drejt atij objektivi është ende e gjatë. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 19 / Rezultatet
Udineze-Inter 3-0
63’, 79’ Di Natale, 75’ Muriel
Kievo-Atalanta 1-0
37’ Kofi
Fiorentina-Peskara 0-2
57’ Xhonatas, 90’ Çelik
Xhenoa-Bolonja 2-0
58’, 73’ Borrielo
Juventus-Sampdoria 1-2
24’ (p) Xhovinko / 54’, 69’ Ikardi
Milan-Siena 2-1
67’ Bojan, 80’ (p) Pacini / 87’ Paoluçi
Parma-Palermo 2-1
62’ Belfodil, 90’ Amauri / 85’ Budan
Napoli-Roma 4-1
4’, 48’, 70 Kavani, 90’ Maxho / 73’ Osvaldo
Sunday, 06 January 2013 19:05