Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, ka bërë të ditur se karriera ndërkombëtare e mbrojtësit Patrik Mtiliga ka marrë fund. Mbrojtësi i majtë i Nordsjaelland ishte në listën e rezervave për ndeshjen kundër Italisë, ndërsa titullar në vendin e tij, trajneri Olsen kishte zgjedhur Saimon Poulsen.
Por pasi Poulsen pësoi një dëmtim gjatë nxemjes, Mtilinga refuzoi të futej në fushën e lojës në vend të shokut të tij të skuadrës, i mërzitur pse ishte lënë mes rezervave. Kjo solli edhe reagimin e trajnerit të Danimarkës, i cili foli ashpër ndaj 31 vjeçarit që ka luajtur 6 ndeshje me kombëtaren.
“Jam në futboll prej 40 vitesh por nuk kam përjetuar asnjëherë një situatë të tillë. Ai zhgënjeu të gjithë shokët e skuadrës, i tradhtoi ata”.
“I kërkova Patrik Mtilinga të bënte nxemje por ai ishte aq i zhgënjyer nga vendimi ynë si staf për të caktuar Poulsen si titullar, aq sa na tha se nuk ishte në gjendje të luante në këtë ndeshje ndërkombëtare. I kërkova menjëherë të largohej nga dhomat e zhveshjeve dhe ju them që tani që ai ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren”, ishte deklarata e Olsen në një konferencë për shtyp ku ka folur për takimin e humbur me rezultatin 3-1. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 13:55