Humbja me Udinezen, e treta në katër ndeshje të zhvilluara deri tani në kampionat, ka kaluar pa pasoja në radhët e Milanit, me klubin që ka konfirmuar trajnerin Alegri, pavarësisht zërave të mundshme për largimin e tij.
“Ecim përpara me këtë trajner, gëzon besimin total si të presidentit, ashtu edhe timin”, ishin fjalët e administratorit Adriano Galiani pas përfundimit të ndeshjes. “162 pikë në dy vite janë shumë, skuadra luftoi edhe me 9 lojtarë si dhe tregoi se është e lidhur me trajnerin. Kështu jemi edhe ne”.
“Milani ka luajtur më mirë, në mënyrë absolute, kam parë një skuadër në përmirësim. Tani pres fitoren e parë të mërkurën, edhe pse “San Siro” për ne dhe Interin në këtë vit duket i magjepsur. Goli i El Sharauit ishte shumë i bukur, Udineze u tremb, ashtu si në vitin e kaluar, por në fund na shënoi goli me goditje standarte. Ky është një vit ku duket se fati na ka kthyer shpinën, por jemi ende vetëm në javën e katërt të kampionatit. Është ende herët”, deklaroi ai.
Nga ana e tij, Alegrit as që i shkon ndër mend të japë dorëheqjen nga kuqezinjtë, ndonëse një pjesë e tifozëve të skuadrës mendojnë se ka ardhur koha që ai të largohet.
“Mendoj se të flitet për shkarkimin tim nuk ka sens. Nuk ka probleme si nga ana ime, ashtu edhe nga ana e klubit. Pavarësisht rezultatit, këtë radhë skuadra luajti mirë. A ndjehem fajtor apo viktimë e situatës të Milan? As njëra e as tjetra. Jam trajneri i Milanit dhe jam i lumtur. Fatkeqësisht jam një personazh që vihet gjithmonë në diskutim. Ju kujtoj se bashkë me djemtë kemi arritur 162 pikë në dy sezone”, deklaroi trajneri. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 September 2012 08:40