Gazeta sportive italiane, “La Gazzeta Dello Sport”, ka publikuar sot lajmin se edhe një nga legjendat e çiklizmit italian, Mario Çipolini, është një nga klientët e Eufemiano Fuentes, doktorit të famshëm spanjoll që përgatiste “dietat e dopingut” për çiklistët e ndryshëm. Lajmi në fjalë ka bërë shumë bujë, pasi bëhet fjalë për një çiklist të njohur në arënën ndërkombëtare, me 43 etapa të fituara në Xhiron e Italisë, 12 në Turin e Francës dhe 3 në Vueltën e Spanjës.
Kjo gazetë ka publikuar një dokument, ku sipas saj përshkruhet “dieta” që Fuentes përgatiti për Çipolinin në vitin 2002, ku përfshiheshin EPO, transfuzione dhe injektim i hormoneve të rritjes. Duhet theksuar se ai ka qenë një nga vitet më të suksesshëm të ish-çiklistit italian, vit në të cilin u shpall edhe Kampion Bote.
Lajmi vjen si një “bombë” e radhës në botën e çiklizmit, që po merr goditje të njëpasnjëshme pasi po shfaqet qartësisht se në këtë sport, të gjithë çiklistët elitarë janë apo kanë qenë përdorues të rregullt të substancave dopuese.
Është ironik fakti se Çipolini në fillimin e kësaj jave kishte folur rreth kësaj teme, duke kërkuar që edhe sportet e tjera të trajtoheshin si çiklizmi, pasi ky sport po njollosej.
“Kontrollet nuk janë të qarta dhe të barabarta për të gjithë, janë diskriminuese. Do të dëshiroja që të kishte kontrolle të ngjashme për të gjithë, pasi duket e çuditshme që në Lojërat Olimpike, e gjithë bota të jetë e ndershme dhe gomarët e vetëm janë çiklistët”, ishin fjalët e italianit, që tashmë duhet t’i përgjigjet akuzave të rënda kundër tij. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 February 2013 10:10