Luis Hemilton ka treguar se është gati për garën e parë të sezonit në Formula 1, ku kërkon të fitojë një tjetër titull kampion. Britaniku i MekLaren ka kaluar një sezon shumë të vështirë vitin e kaluar ku tre sukseseve në garat e Kinës Gjermanisë dhe Abu Dabi, iu shtuan gabimet prej fillestari në garat e Monakos, Kanadasë, Belgjikës, Singaporit dhe Indisë.
Por kampioni i vitit 2008 është nisur pikërisht nga këto gabime dhe ato të skuadrës për të përgatitur sezonin e ri. “Kam analizuar garat dhe kam parë nga fillimi disa prej tyre, duke parë ku jam paraqitur mirë dhe ku jam paraqitur keq e kam nevojë të përmirësohem. Më kujtohet mirë gara e Malajzisë, ku mu shpua një gomë, vura gomat e gabuara që më çuan në vend të shtatë dhe pastaj pësova një dënim se u përplasa me Alonson. Këto janë gjërat që duhet të evitoj këtë sezon”, tregoi ai.
Hemilton do të jetë një nga gjashtë kampionët e botës që do të marrë pjesë në garën e të dielës. “Të fitosh një titull kampion këtë vit, me kaq shumë kampionë në pistë, do të jetë padyshim më i vlefshëm se të tjerët”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 March 2012 10:01