Xhenson Baton nisi kampionatin botëror 2012 të Formula 1 me një fitore të merituar për pilotin e MekLaren në Çmimin e Madh të Australisë në Melburn. Kampioni i botës në fuqi, Sebastian Vetel me Red Bull, arriti të ngjitej deri në vendin e dytë nga i gjashti që mbante në nisje të garës, ndërsa mbajti pas krahëve Luis Hemilton me makinën tjetër MekLaren, i cili u zhgënjye disi pasi ishte ai që kishte fituar pole-position në provat zyrtare.
Fernando Alonso shpëtoi fundjavën e Ferrarit me vendin e pestë ndërsa dha sinjale se kjo makinë mund të konkurrojë me më të fortët nëse korrigjohen disa gabime gjatë javëve të ardhshme. Gjithsesi, shoku i tij i skuadrës, Felipe Masa, zhvilloi një garë shumë të dobët dhe u tërhoq në xhiron e fundit pasi u përplas me Bruno Sena.
Zhgënjyese ka qenë edhe gara e dy makinave Mercedes. Pas një fillimi të mirë, Mikael Shumaker u detyrua të braktiste garën që në xhiron e 10-të për probleme me marshet. Ndërkohë, Niko Rosberg qëndroi në zonën e pikëve deri në fundin e garës ku u detyrua të dorëzohej dhe t’i bënte vend makinave të tjera për shkak të problemeve me gomat që e çuan në vendin e 12-të.
Surpriza e kualifikueseve, francezi Groszhan me Lotus u detyrua të largohej nga gara pas një përplasje që në xhiron e dytë. Ndërkohë, makina tjetër Lotus e ish-kampionit të botës, Kimi Raikonen, e mbylli garën në vendin e 7-të.
Në zonën e pikëve përfunduan të dy makinat Sauber me Kobajashi dhe Perez, ashtu si edhe Riçiardo me Toro Roso e Di Resta me Force India, të cilët përfituan nga përplasja e Pastor Maldonado pak kthesa para fundit të garës. (LajmeShqip.com)
ÇMIMI I MADH I AUSTRALISË
RENDITJA E PILOTËVE
1. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes) 25 pikë
2. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno) 18
3. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes) 15
4. Mark Veber (Red Bull-Reno) 12
5. Fernando Alonso (Ferrari) 10
6. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari) 8
7. Kimi Raikonen (Lotus-Reno) 6
8. Serxho Perez (Sauber-Ferrari) 4
9. Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari) 2
10. Pol di Resta (Force India-Mercedes) 1
11. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)
12. Niko Rosberg (Mercedes)
13. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)
14. Timo Glok (Marusia-Kosuorth)
15. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)
16. Bruno Sena (Uilliams-Reno)
17. Felipe Masa (Ferrari)
18. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)
19. Vitali Petrov (Katerham-Reno)
20. Mihael Shumaker (Mercedes)
21. Romein Groszhan (Lotus-Reno)
22. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)
RENDITJA E KONSTRUKTORËVE
1. MekLaren-Mercedes 40 pikë
2. Red Bull-Reno 30
3. Sauber-Ferrari 12
4. Ferrari 10
5. Lotus-Reno 6
6. Toro Roso-Ferrari 2
7. Force India-Mercedes 1
Sunday, 18 March 2012 10:36