Fernando Alonso ka ndryshuar krejtësisht drejtim dhe pas dy javësh ku nga skuderia Ferrari dilnin vetëm deklarata pesimiste, ai ka hedhur hapur kandidaturën për titullin kampion në botërorin e Formula 1, vetëm 3 ditë para garës së parë të sezonit në Australi.
“Fillimisht duhet të shohim si shkojnë gjërat këtu dhe sa konkurrues do të jemi në krahasim me të tjerët. Askush nuk e di ende se kush është i shpejtë e kush jo. Pesimizëm? Felipe Masa ka thënë qe ne luftojmë për podium, ndërsa unë kam thënë që të jemi të durueshëm dhe që është e rëndësishme të fitojmë kampionatin në fund. Pet Frai ka thënë që makina ka potencial ndërsa Domenikali që është e rëndësishme që të paraqitemi fitimtarë. Të gjithë këto mesazhe janë optimiste, ku është pesimizmi këtu?”, tha ai.
Piloti spanjoll ka bërë të qartë se të gjithë duhet të besojnë te Ferrari që është një skuadër fituese dhe e ka provuar këtë edhe në momentet më të vështira. “Në vitin 2010 ne ishim një sekondë më të ngadaltë se Red Bull por kryesonim kampionatin deri në garën e fundit. Vitin e kaluar ishin përsëri një sekondë pas Red Bull dhe mund të shpalleshim gjithsesi nënkampionë. Në vitin 2009, Kimi Raikonen fitoi garën e SPA pa u kualifikuar në kualifikueset e para. Të gjitha këto t’i dhuron vetëm Ferrari, po nuk i besove kësaj skuadre, nuk ke kujt i beson tjetër”, ishte sinjali i qartë i Alonsos për të gjithë rivalët e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 March 2012 14:57