E gjithë Gjermania është e përfshirë në një debat shumë të ndezur për takimin e ardhshëm të përfaqësueses kundër Holandës: Kush duhet të luajë në sulm s titullar, Gomez apo Klose?
I vetmi person që duket se ka të qartë zgjedhjen është Joakim Lëv, i cili do t’i besojë përsëri një fanellë titullari sulmuesit të Bajern Mynih.
“Sinqerisht, nuk kam energji për t’u shqetësuar rreth asaj që thonë të tjerët. Unë kam një këndvështrim tjetër nga media apo tifozët rreth atij që duhet të luajë si sulmues. Plani i ndeshjes për të dy skuadrat është i qartë pasi kemi luajtur shpesh njëri kundër tjetrit. Ne e njohim sistemin e Holandës por edhe ata e dinë se si luan Gjermania dhe cilat janë pikat tona të forta. Do të jetë një ndeshje krejtësisht e barabartë”, ka thënë Lëv.
Sipas mediave gjermane, ai nuk do të bëjë ndryshime në formacionin e përfaqësueses duke mbajtur Gomez titullar, pasi ky i fundit ndonëse nuk shkëlqeu me Portugalinë, ishte autor i golit të fitores, ndërsa Klose në minutat ku u aktivizua nuk tregoi asgjë në krahasim me atë që pritej prej tij.
Shqetësimi më i madh për Lëv është të ndalë Arjen Roben, lojtari më i rrezikshëm i Holandës edhe në ndeshjen e parë. Ai i ka vënë për detyrë futbollistëve të Bajern të bëjnë maksimumin për të kontrolluar shokun e tyre të skuadrës.
Si rrjedhojë, do të jenë plot 5 lojtarë që do të ndjekin hap pas hapi “tulipanin” që e njohin mjaft mirë. Lahm, Badshtuber, Boateng, Shvajnshtajger e sidomos Nojer, kanë urdhër nga trajneri që të mos lejojnë të kalojë mesfushorin e Holandës, i cili është një element në gjendje të marrë mbi shpatulla kombëtaren e tij dhe ta nxjerrë nga situata e keqe në të cilën gjendet aktualisht. (LajmeShqip.com)
Grupi B
09.06.2012
Holandë-Danimarkë 0-1
24’ Krohn Dehli
Gjermani-Portugali 1-0
73’ Mario Gomez
Renditja
Danimarkë 3 1-0
Gjermani 3 1-0
Portugali 0 0-1
Holandë 0 0-1
13.06.2012
Danimarkë-Portugali 18:00
Gjyqtar: Kreig Tomson (Skoci)
Lviv (Ukrainë)
Holandë-Gjermani 20:45
Gjyqtar: Jonas Erikson (Suedi)
Kharkiv (Ukrainë)
17.06.2012
Portugali-Holandë 20:45
Kharkiv (Ukrainë)
Danimarkë-Gjermani 20:45
Lviv (Ukrainë)
Tuesday, 12 June 2012 12:46