Prezantuesja e famshme televizive amerikane, Oprah Uinfrei, do të bëjë një intervistë të drejtpërdrejtë me Lens Armstrong, ish-çiklistin amerikan të përfshirë në skandalin e përdorimit të dopingut. Intervista që pritet të zgjatë rreth 90 minuta, do të jetë e para që nga momenti kur teksanit iu hoqën titujt e fituar gjatë karrierës së tij me akuzën e përdorimit të rregullt të substancave dopuese.
“Oprah Uinfrei do të flasë ekskluzivisht me Lens Armstrong në një bisede të hapur”, shkruhet në deklaratën për shtyp të rrjetit televiziv që do të publikojë këtë intervistë. “Armstrong do të flasë për skandalin e dopingut, shumë vite akuza për mashtrime dhe sidomos akuzat e fundit për përdorimin e substancave të palejuara gjatë të gjithë karrierës së tij”.
Armstrong u përjashtua përjetësisht nga sporti, nga USADA në tetorin e vitit 2012, pasi hetuesit e kësaj organizate thanë se kishin prova për përdorimin e dopingut nga ish-çiklisti dhe shokët e tij të skuadrës.
Prej disa ditësh ka qarkulluar lajmi se ai është gati të tregojë gjithçka, ndaj të gjithë po presin me padurim datën 17 janar kur do të transmetohet kjo intervistë e fituesit të 7 Tureve të Francës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 January 2013 16:28