Gazeta franceze “Le Monde” ka publikuar një dokument që sipas saj provon se si Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit (UCI), fshehu një testim pozitiv të Lens Armstrong ndaj kortikoideve që në Turin e Francës së vitit 1999, i pari i fituar nga ish-çiklisti amerikan. Ky dokument përbën raportin e kontrolluesve të UCI pas testeve të kryera që në etapën e parë të atij edicioni, të zhvilluar me 4 korrik.
Në tekstin që është firmosur nga vetë Armstrong dhe drejtori i skuadrës së tij, Johan Bruinel, çiklisti pranon se nuk po merr asnjë mjekim. Më vonë, pasi rezultoi pozitiv, ai dorëzoi në UCI një recetë mjekësore e cila u pranua menjëherë, edhe pse sipas gazetës franceze, mbi të nuk kishte asnjë datë të shënuar.
“Le Monde” insiston se pikërisht kjo është receta mjekësore të cilën Armstrong pranoi se kishte falsifikuar, gjatë intervistës së dhënë për Oprah Uinfri. Kortikoidet ishin pjesë e substancave të ndaluara, por lejoheshin nëse kishte një recetë mjekësore që justifikonte përdorimin e tyre terapeutik.
Gazeta kujton se pak ditë pas kësaj ngjarje, në faqet e saj u publikua lajmi se Armstrong kishte rezultuar i dopuar, por UCI kishte dalë në mbrojtje të çiklistit amerikan duke hedhur poshtë akuzat. Për më tepër, ish-presidenti Hein Verbrugen, kishte telefonuar shefin e kabinetit në Ministrinë e Sporteve në Francë duke kritikuar ligjet vendase për anti-dopingun që “dëshironin të shkatërronin çiklizmin dhe Turin e Francës”.
Ashtu siç kanë bërë shumë media të tjera, edhe “Le Monde” po mendon të hedhë në gjyq Armstrong duke kërkuar dëmshpërblim për prishje të imazhit, pasi ish-çiklisti vazhdimisht i ka akuzuar për dizinformim, sa herë që publikoheshin lajme rreth tij dhe përfshirjes në skandalin e dopingut. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 January 2013 10:05