Erjon Bogdani ka treguar se ka ende shumë për të dhënë në futbollin italian, duke ndihmuar skuadrën e Sienës të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Sulmuesi shqiptar ka qenë protagonisti i fitores së rëndësishme 1-0 të kësaj skuadre ndaj Sampdorias, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 71-të.
Në periudhën kur skuadra drejtohej nga Serse Kozmi, sulmuesi shqiptar u la jashtë formacionit, ndërsa me ardhjen e Jakinit në drejtimin e Sienës, duket se ka rifituar një vend, fillimisht si zëvendësues. Këtë e ka pranuar edhe vetë lojtari pas ndeshjes, duke deklaruar se kampionati për skuadrën e tij fillonte tani.
“Goli im përfaqëson fundin e një makthi, pasi kemi punuar gjithmonë mirë. Edhe në Torino nuk e meritonim humbjen dhe këto tre pikë janë thelbësore për ne. Kampionati ynë fillon tani, pasi deri në fund do të kërkojmë mbijetesën. Kjo skuadër i ka forcat ta arrijë një objektiv të tillë do të luftojmë në çdo ndeshje si në një finale. Çfarë ka ndryshuar me Jakinin? Trajneri ka sjellë organizim dhe motivim të ri, tani luajnë shumë lojtarë që më parë ishin lënë mënjanë”, theksoi sulmuesi shqiptar.
Në ndeshjet e javës së 21-të bie në sy fakti se si Napoli është ndalur në barazim 1-1 në fushën e Fiorentinës duke humbur mundësinë për të mbajtur i vetëm vendin e dytë pas krahëve të Juventusit. Ndërkohë, Milani i është kthyer suksesit në kampionat duke mundur 2-1 Bolonjën falë dygolëshit të Pacinit. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 21 / Rezultatet
Fiorentina-Napoli 1-1
33’ Ronkalja / 42’ Kavani
Kievo-Parma 1-1
56’ Paloski / 40’ Belfodil
Xhenoa-Katania 0-2
5’ Bergesio, 84’ Barrientos
Milan-Bolonja 2-1
64’, 82’ Pacini / 84’ (ag) Mekses
Peskara-Torino 0-2
4’ Santana, 41’ Çerçi
Siena-Sampdoria 1-0
71’ Bogdani
Atalanta-Kaljari 1-1
57’ Stendardo / 2’ (ag) Kanini
Sunday, 20 January 2013 17:27