Humbja e parë pas 49 ndeshjesh në kampionat, për më tepër në shtëpi dhe përballë Interit, nuk i ka pëlqyer shumë Antonio Kontes, i cili u ka bërë të qartë lojtarëve të Juventus se ka mbetur i pakënaqur me sjelljen e tyre në fushën e lojës. Të dielën, ai ka mbledhur të gjithë ekipin në qendrën stërvitore të Vinovo për t’i bërë të qartë mesazhin, duke përdorur shpesh fjalën “uri”, duke iu referuar kundërshtarëve që në Torino treguan më shumë dëshirë për të arritur suksesin.
Ndërkohë, në Itali vazhdojnë të diskutohen ende gabimet e gjyqtarëve në supersfidën e fundjavës, ku qartësisht u favorizua Juventusi me një gol në pozicion jashtë loje, ndërsa nuk u ndëshkua me karton të kuq Lihtshtajner.
Administratori i Milanit, Adriano Galiani, nuk ka humbur kohë të thumbojë bardhezinjtë, duke u kujtuar atyre një tjetër episod, golin e famshëm të Muntarit që për kuqezinjtë ishte ai që vendosi titullin në favor të rivalëve të tyre.
“Çfarë mund të them për Taliavento? Që më kujtoi shumë golin e Muntarit, nuk mund të them më shumë për të”, tha ai duke kujtuar se gjyqtari i ndeshjes Juventus-Inter ishte i njëjti që nuk akordoi golin e ganezit në ndeshjen mes Juventusit dhe Milanit në sezonin e kaluar. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 November 2012 15:30