Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do t’i kërkojë Lens Armstrong të kthejë përsëri medaljen e bronztë të fituar në Lojërat Olimpike të vitit 2000 në Sidnei sapo të shfaqet intervista e tij ku ai pranon se ka përdorur substanca të palejuara.
Ky është hapi i parë që Komiteti Olimpik do të ndërmarrë ndaj ish-çiklistit amerikan, pas këtij skandali të madh prej të cilit po mendohet edhe heqja e këtij sporti nga Lojërat Olimpike të ardhshme.
Por Komiteti Olimpik nuk do të marrë asnjë masë kaq ekstreme për momentin, pa u sqaruar se si është situata në përgjithësi dhe pa u kuptuar se sa personazhe brenda Federatës Ndërkombëtare të Çiklizmit janë të përfshirë. “Nuk mund të ndëshkojmë atletët e pafajshëm duke larguar sportin nga aktiviteti,. Duhet thjeshtë të përmirësojmë sistemin e kontrollit. E njëjta gjë ndodhi edhe me peshëngritjen disa vite më parë”, ishte komenti i një prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të IOC.
Ndaj hapi i parë do të jetë dëgjimi i intervistës së plotë të Armstrong dhe më pas kërkesa ndaj tij për të kthyer medaljen olimpike. Më pas do të hetohet Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit, drejtues të së cilës mendohet se janë korruptuar rregullisht nga ish-çiklisti amerikan. Përjashtimi i çiklizmit nga Olimpiada do të ishte vetëm hapi i fundit dhe më ekstrem i kësaj fushate spastrimi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 January 2013 13:20