Fabio Kapelo është inatosur me të gjithë ata që kanë deklaruar se ai po ndihmon Italinë të përgatitë ndeshjen çerekfinale të Euro 2012 kundër Anglisë. Djali i tij, Pierfilipo, ka treguar se tekniku është i pavendosur mes cilës skuadër duhet të mbështetë në këtë ndeshje.
Pak para se të mbërrinte në Majemi për një ndeshje miqësore të fondacionit “Leo Mesi”, Kapelos iu treguan shkrimet e shtypit rreth aludimeve se ai po punonte për Italinë.
“Kush dreqin po i shkruan këto plehra? Do t’i hedh në gjyq”, ishte komenti i trajnerit italian, ndërsa i biri tregoi të gjithë situatën.
“Fabio u inatos shumë kur i tregova se çfarë shkruhej. Ne do të ndërmarrim veprime ligjore ndaj kujtdo që ka sugjeruar se ai ka qenë duke e ndihmuar trajnerin e Italisë. Ata as nuk kanë folur bashkë prej një viti”.
“Është një fyerje ndaj Fabio që të sugjerohet se ai mund të tregojë diçka pasi ka punuar 4 vite për Federatën Angleze. Ai ka marrëdhënie mjaft të ngushta me njerëz në FA, nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, e vlerëson maksimalisht raportin e mirë që ka me futbollistët anglezë”.
“Ai nuk ka punuar as për të ndihmuar Anglinë, nuk i njeh lojtarët italianë më mirë se Hodgson. Besoj se nuk e ka ndarë mendjen se për kë të jetë tifoz në këtë ndeshje”, ishte deklarata e djalit të Kapelos, që është njëkohësisht edhe menaxheri i tij. (LajmeShqip.com)
Çerekfinalet
R. Çeke-Portugali 0-1
79’ Kristiano Ronaldo
Gjermani-Greqi 4-2
39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis
Spanjë-Francë 2-0
19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso
24.06.2012
Angli-Itali 20:45
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Kiev
Gjysmëfinalet
27.06.2012
Portugali-Spanjë 20:45
28.06.2012
Gjermani-Angli/Itali 20:45
Sunday, 24 June 2012 15:25