Eliminimi nga seria e 11-metërshave është kthyer në makthin më të madh të përfaqësueses angleze, e cila gabon thuajse gjithmonë nga pika e bardhë. Humbja me Italinë ishte dështimi i gjashtë në shtatë rastet kur anglezët e kanë parë veten të përballen me kundërshtarë në gjuajtjet e 11-metërshave.
Hodgson ka treguar se lojtarët që gjuajtën penalltitë kundër italianëve ishin ata më të saktit gjatë stërvitjeve dhe se nuk dinte asnjë mënyrë tjetër si ta zgjidhte këtë mallkim.
“I kemi parë këta lojtarë të gjuajnë penallti në stërvitje pasi gjuajtjet nga pika e bardhë janë kthyer në një lloj fiksimi për futbollin anglez dhe duhet të them se ata bënë gjithçka mirë. Por nuk arrin kurrë të riprodhosh në stërvitje tensionin e gjuajtjeve të vërteta, nuk arrin të riprodhosh momentin, nervozizmin”.
“Lloji i përllogaritjes së qetë dhe besimit që Pirlo kishte kur bëri atë gjuajtje përballë portierit, atë e ke të lindur ose nuk e ke më. Nuk ka asnjë lloj stërvitje që mund ta riprodhojë një gjë të tillë”.
“Ju i keni parë penalltitë e Eshli Kol në finalen e Ligës së Kampioneve dhe ato të Eshli Jang me Uotford e Mançester Junajtid. Besonim se kishim 5 gjuajtës të mirë penalltish por fatkeqësisht dy prej tyre gabuan”, deklaroi Hodgson.
Edhe Uejn Runi është shfaqur shumë i mërzitur pas këtij dështimi. “Kjo është një mënyrë e rëndë për të dalë nga turneu dhe ka ndodhur shumë shpesh. Shpresojmë se do të vijë koha kur edhe ne të fitojmë një seri 11-metërshash”, tha ai.
Gjendja shpirtërore e anglezëve mund të përshkruhet qartë në batutën e fundit të Roi Hodgson. “Largohemi nga ky turne të pamposhtur në kohën e rregullt. Largohemi nga Euro 2012 pasi nuk dimë të fitojmë me penallti”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 June 2012 11:35