Arti Krasniqi i ka dhënë fund dominimit të notarëve maqedonas në maratonën e notit në Batllavë.
Notarët nga Maqedonia kishin fituar pesë herë rresht garën ndërkombëtare të notit në distancë prej 4,2 kilometrash, por jo edhe këtë vit. Krasniqi të shtunën fitoi, madje duke vendosur rekord të ri të garës.
Ai 4,2 kilometra në liqenin e Batllavës i notoi për 48.46 minuta. Prapa la dy maqedonas, Aleksander Ilievskin dhe Nikola Vasilevskin. Ilievski kishte fituar vitin e kaluar, shkruan sot Koha Ditore.
Krasniqi vlerësohet notues me të ardhme. I tillë nuk vlerësohet vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani, vend në të cilin jeton. Ai këtë vit u shpall kampion i Gjermanisë për notarët deri 16-vjet (kadetë) në disiplinën 400 metra stil të përzier (mix).
Në 400 metra stil të lirë, në të njëjtën grupmoshë, u rendit i treti në Gjermani.
Në një bisedë për gazetën, të dielën, Krasniqi ka treguar se ka vendosur të marrë pjesë në maratonën e notit në Batllavë për të kthyer traditën e familjes. Babai i tij, Naimi, ka qenë po ashtu notar dhe ka fituar dy herë garën në Batllavë.
Monday, 17 August 2015 12:02