Art Krasniqi është një vazhdimësi e famljes së tij në sportin e notit, ai është kampion i Gjermanisë për moshën U-16 dhe i gatshëm të paraqitet për Kosovën.
Ditë më parë, Art Krasniqi fitoi maratonën e notit në Liqenin e Batllavës në Orllan, një sukses që babai i tij, Naimi e kishte arritur para plotë 36 viteve.
“Kur unë e fitova distanca ishte afërsisht 9 kilometra”, thotë buzagaz, Naimi një kampion i shumëfisht i Kosovës para tridhjetë vitesh.
Edhe motra e Naimit, Shefketja ka qenë notuese në Kosovë, ndërsa në Gjermani ku ai emigroi prej shumë vitesh janë angazhuar në këtë sport edhe vajza dhe djali më i vogël.
Familja Krasniqi jeton prej vitesh në Gjermani, atje ka lindur edhe Arti i cili muaj më parë është shpallur kampioni Gjermanisë për moshën deri 16 vjeçe ne disiplinën 400 metra miks.
Arti në Gjermani ushtrimet i zhvillon në Qendrën Olimpike në Hamburg, si një ndër sportistët potencial të trajtuar nga shteti gjerman, pas triumfit edhe në shumë gara të nivelit të Landit apo Republikës ku jeton.
“Qëllim im është të arrijë përgatitjet dhe nivelin e duhur për pjesëmarrje në Olimpiadën e vitit 2020”, tha Arti në një bisedë për portalin, Sporti 1.
16 vjeçari ushtron me kampionin e Gjermanisë, Jakub Heitman një ndër top pesë garuesit në botë, ndërsa për idhuj dallon një. “Ryan Lochte pëlqehet nga shumëkush edhe nga unë si model i kampionit”.
Sa herë që shkruajmë për talentet tona që jetojnë në Evropë, sikur i kushtëzojmë me pyetjen e përfaqësimit të Kosovës, ndonëse kësaj pyetje deshëm t’i shmangemi, ajo u shfaq me insistimin e kampionit të ri. “Ndoshta, tash duket herët, por unë për një kohë të shkurtër dua të përfaqësojë Kosovën, kur edhe kjo të jetë e gatshme për mua”, tha Arti Krasniqi.
Me një kampion sikur ky që po kalitet nëpër sallat e vendit të që kanë prodhuar edhe shumë kampion të tjerë bote, shteti i Kosovës duhet të jetë i gatshëm për të reaguar, Olimpiada e 2020-ës vjen shumë shpejt./Sporti1.com/
Monday, 24 August 2015 18:36