Juventusi ka bërë një tjetër hap të gabuar duke u ndalur në barazim 1-1 në shtëpi nga skuadra e Xhenoas. Kjo do të thotë se skuadrat ndjekëse si Napoli e Inter mund të përfitojnë nga kjo ndalesë për të shkurtuar diferencën me kampionët në fuqi të Italisë që kryesojnë renditjen, ndërsa Lacio ka bërë një gabim edhe më të madh duke u mundur në fushën e vet nga Kievo.
Në ndeshjen e luajtur në “Juventus Stadium”, takim ka folur kryesisht për bardhezinjtë që kanë dominuar në lojën dhe në rastet e krijuara, por duke shfaqur vështirësi në finalizimin e aksioneve të shumta. Edhe goli i avantazhit për skuadrën e Konte, ka ardhur në minutën e 54-t si meritë e një devijimi të mbrojtësit Grankvist në portën e vet. Për më tepër, vetëm 15 minuta më vonë, bardhezinjtë ndëshkohen nga ish-lojtari i tyre, Marko Borrielo, të cilin deri pak ditë më parë po mendonin ta rimerrnin në skuadër, por pastaj zgjodhën veteranin Anelka.
Minutat e fundit zhvillohen praktikisht në zonën e Xhenoas, që përpiqet në të gjitha mënyrat dhe arrin të mbrojë rezultatin, pavarësisht polemikave në minutën e fundit shtesë për një penallti të pretenduar nga lojtarët bardhezinj pas prekjes së topit me dorë nga Grankvist, me gjyqtarin që e cilëson të pavullnetshme.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të së shtunës, Lacio ka gabuar rëndë duke humbur një mundësi të artë për t’iu afruar kreut, pasi është mundur në shtëpi 1-0 nga Kievo falë golit të Paloski në pjesën e dytë të takimit. Me këtë rezultat, bardhekaltërit rrezikojnë jo vetëm të shohin Napolin t’i largohet në vendin e dytë, por edhe t’i afrohet ndjeshëm Inter që është një kundërshtar direkt për kualifikimin në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Saturday, 26 January 2013 22:53