Juventusi ka nisur arratisjen e radhës drejt titullit kampion, falë një fitoreje të vështirë 1-0 ndaj Katanias, të kombinuar me humbjen në fushën e Kievos të Napolit, duke çuar në 9 pikë diferencën mes dy skuadrave.
Ndonëse Juventusi ka dominuar takimin ndaj Katanias, rastet në këtë sfidë nuk kanë qenë të shumta për kryesuesit e Serisë A. Por takimin e zgjidhi zëvendësuesi Xhakerini në minutën e parë shtesë të takimit, pas një kombinimi me Pogba, i cili ka filluar të kthehet në një element të rëndësishëm për skemat e bardhezinjve.
Tani kampionët e Italisë janë disi më të qetë në rrugën e tyre drejt titullit të dytë radhazi, pasi kanë çuar në 9 pikë diferencën me Napolin ndjekës që është munduar në mënyrë të papritur në fushën e Kievos. Vendasit kanë zgjidhur gjithçka në pjesën e parë të takimit falë golave të Drame dhe Tero, ndërsa më pas kanë arritur të kontrollojnë ofensivën e skuadrës së Mazarrit që tashmë duket se ka harxhuar shumë energji deri në këtë pikë të sezonit dhe rrezikon seriozisht të humbasë edhe vendin e dytë në renditje.
Për momentin Napoli ka dy pikë avantazh ndaj Milanit që mban vendin e tretë, por kuqezinjve mund t’u afrohen shumë shpejt edhe Inter, Lacio apo Fiorentina që luftojnë për renditjen mes tre skuadrave të para që garanton kualifikimin në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 28 / Rezultatet
Atalanta-Peskara 2-1
34’ (p), 67’ Denis / 24’ D’Agostino
Juventus-Katania 1-0
90’+1’ Xhakerini
Kievo-Napoli 2-0
12’ Drame, 43’ Tero
Kaljari-Sampdoria 3-1
18’, 53’, 72’ Ibarbo / 90’ (p) Maksi Lopez
Palermo-Siena 1-2
44’ Anselmo / 51’ Emeghara, 72’ (p) Rosina
Parma-Torino 4-1
77’, 84’, 90’ Amauri, 80’ Sansone / 56’ Santana
Klasifikimi: Juventus 62; Napoli 53; Milan 51; Inter 47, Lacio 47; Fiorentina 45; Roma 44; Katania 42; Udineze 41; Sampdoria 35, Parma 35; Kaljari 34; Atalanta 33; Bolonja 32, Torino 32, Kievo 32; Xhenoa 26; Siena 24; Palermo 21, Peskara 21. (Penalizime: Torino -1, Sampdoria -1; Atalanta -2; Siena -6).
Sunday, 10 March 2013 17:21