Juventusi ka kaluar pa probleme Fiorentinën falë fitores 2-0 në një sfidë që pritej të shfaqte më shumë konkurrencë nga skuadra e Firences, e cila nën drejtimin e Vinçenco Montelës kishte shfaqur një lojë shumë të mirë në pjesën e parë të sezonit.
Por “vjollcët” kanë luajtur vetëm 20 minuta si të barabartë me Juventusin, aq sa i ka mjaftuar bardhezinjve për të gjetur golin e avantazhit me Vuçiniç. Më pas ka qenë thuajse një dominim i plotë i kampionëve të Italisë që në minutën e 42-rë kanë dyfishuar rezultatin me golin e Matrit.
Në pjesën e dytë, në vend të reagimit të Fiorentinës, shfaqet përsëri këmbëngulja e Juventusit që mbyll ekipin kundërshtar në gjysmëfushën e vet dhe krijon raste të shumta, me Vivianon që disa herë shpëton katërkëndorin e tij me ndërhyrje vendimtare. Takimi mbyllet 2-0, me Juventusin që mendon tashmë më qetësisht për ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër skocezëve të Sëlltik Glasgou. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 February 2013 20:30