Juventusi ka bërë detyrën duke mundur 2-1 Peskaran në ndeshjen e parë të javës së 31-të të Serisë A, ndërsa po tenton arratisjen përfundimtare drejt titullit të dytë kampion radhazi. Bardhezinjtë kanë dominuar përballë skuadrës që është shumë pranë rënies nga kategoria, ndërsa vetëm mrekullitë e Pelicolit kanë mbajtur miqtë në garë deri në minutat e fundit të sfidës.
Konte zgjodhi të linte në stolin e rezervave shumë prej titullarëve, si Bufon, Pirlo e Markisio, ndërsa dëshironte të shihte gjendjen e lojtarëve që mund t’i hyjnë në punë për sfidën e mesjavës ndaj Bajern Mynih. Por bardhezinjtë kanë gjetur përballë Pelicolin në një formë të shkëlqyer, duke ndaluar çdo tentative të tyre me pritje të njëpasnjëshme. Kualjarela, Vuçiniç dhe Xhakerini humbin disa raste para porte, duke bërë që të shtohej tensioni në radhët e kryesuesve të kampionatit.
Ndeshja merr një rrjedhë tjetër në minutën e 72-të, kur Vidal fiton 11-metërsh dhe Vuçiniç transformon saktësisht. Avantazhi i jep qetësinë e duhur juventinëve që pak minuta më vonë gjejnë edhe golin e dytë, përsëri me autor Vuçiniç, që dërgon topin në rrjetë me një kthesë të shpejtë brenda zonës. Goli i miqve me Kashione në minutën e 83-të shërben vetëm për të bërë më emocionues fundin e kësaj ndeshje, por gjithsesi është Juventusi që i gëzohet tre pikëve me suksesin 2-1. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 April 2013 20:16