Juventusit i mungon shumë pak për të festuar një tjetër titull kampion, të dytin radhazi për skuadrën e Konte, që i është afruar më tepër këtij objektivi falë fitores 2-0 në kryeqytet ndaj Lacios.
Bardhezinjtë kanë bërë diferencën sidomos në pjesën e parë, ku Lacio është shfaqur thuajse inekzistente në fushë, ndërsa kanë ndëshkuar çdo gabim të vendasve. Avantazhi i kryesuesve të Serisë A ka ardhur që në minutën e 8-të nga këmbët e Vidal, i cili transformoi saktësisht një penallti që Vuçiniç e fitoi pas faullit të Lorik Canës. Më pas, është përsëri mesfushori kilian që dyfishon shifrat në minutën e 28-të, pas përgjumjes së radhës së mbrojtjes bardhekaltër.
Për Juventusin, ndeshja kthehet thjesht në çështje administrimit të rezultatit, edhe pse me hyrjen në fushë të Ederson në pjesën e dytë, Lacio bëhet më kërkuese dhe agresive në lojën e saj. Gjithsesi, bardhezinjtë arrijnë të ruajnë mjaft mirë avantazhin e dy golave dhe marrin tri pikët që i nevojiten për të çuar në 11 pikë diferencën nga Napoli ndjekës kur kanë mbetur edhe 6 javë deri në fundin e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 22:53