Juventusi i është kthyer fitoreve bindëse duke mundur Udinezen në ndeshjen e javës së 21-të të Serisë A. Skuadra e Kontes ka marrë një fitore 4-0 që e qetëson disi, pas dy rezultateve aspak bindëse në këtë fillim viti që rihapën edhe luftën për titullin kampion në Itali.
Protagonisti kryesor i kësaj fitoreje ishte i riu francez Pol Pogba, i cili tregoi se e meritoi të cilësohet një zëvendësues i mundshëm i Andrea Pirlos për të ardhmen. 19 vjeçari shënon një supergol në minutën e 41-të me një gjuajtje nga distanca, ndërsa dyfishon shifrat në pjesën e dytë, duke zgjidhur ndeshjen për Juventusin, që më pas përfiton nga çekuilibrimi i kundërshtarëve për të shënuar edhe dy gola të tjerë me Vuçiniç dhe Matri, duke shënuar një sukses shumë të rëndësishëm për moralin.
Për t’u theksuar është fakti se në pankinën e Juventusit për këtë ndeshje ka qenë edhe i riu i talentuar Elvis Kabashi, pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë dhe që ndiqet me vëmendje prej kohësh nga trajneri Xhani De Biasi për ta afruar në kombëtaren e madhe.
Ndërkohë, ka përfunduar në barazim 2-2, “derbi” shqiptar mes Palermos të Samir Ujkanit dhe Lacios së Lorik Canës, me të dy futbollistët shqiptarë që kanë luajtur titullarë në këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 January 2013 23:02