Ndeshja numër 194 mes Juventusit dhe Interit, e 95-ta e luajtur në Torino, vë sot përballë dy skuadrat e para të renditjes së Serisë A, me shifra që i afrohen rekordeve sezonale. Deri tani, në 10 ndeshjet e para, Juventusi ka regjistruar 9 fitore, i ndjekur nga Interi që ka 8 të tilla. Për më tepër, bardheiznjtë janë e vetmja skuadër që nuk është mundur në edicionin aktual, ndërsa Interi është e vetmja që nuk ka barazuar asnjë takim.
Sulmet e të dy skuadrave janë në një formë të shkëlqyer, pasi Juventusi kryeson këtë renditje (bashkë me Romën) me 22 gola, ndërsa Interi ka shënuar 19. Ndërkohë, për Juventusin është shumë domethënëse edhe paraqitja e mbrojtjes, me vetëm 5 gola të pësuar në këtë kampionat.
Një sfidë shumë e çuditshme do të jetë ajo e shifrave për raportin mes ndeshjeve të luajtura brenda dhe jashtë. Juventusi ka marrë 5 fitore në po aq ndeshje të luajtura në fushën e vet, por Interi ka qenë i pagabueshëm jashtë fushe, duke marrë 5 fitore në po aq takime të luajtura. Bardhezinjtë kanë sulmin më të mirë në shëtpi, me 12 gola të realizuar, ndërsa zikaltërit kanë sulmin më të mirë jashtë fushe, me 11 gola.
Dy skuadrat kryesojnë kampionatin italian edhe në numrin e lojtarëve të ndryshëm që kanë gjetur rrugën e rrjetës në kampionat. Për Juventusin këtë sezon kanë shënuar 12 lojtarë të ndryshëm: Asamoah, Kaceres, Xhakerini, Xhovinko, Lihtshtainer, Markisio, Matri, Pirlo, Pogba, Kualjarela, Vidal dhe Vuçiniç. Ndërsa te Interi kanë shënuar 10 lojtarë të ndryshëm: Kambiaso, Kasano, Kutinjo, Guarin, Milito, Palacio, Pereira, Ranokia, Samuel dhe Shnajder.
Duhet theksuar se Interi ka fituar çdo ndeshje jashtë fushe të zhvilluar në këtë sezon në të gjitha turnetë që ka luajtur, ndërsa nuk mundet jashtë që nga 13 maji i vitit 2012, kur u mund 1-3 nga Lacio. Jo rastësisht edhe Xhanluixhi Bufon ka ekipin e tij të urryer Interin, pasi zikaltërit janë skuadra që i ka shënuar më shumë portierit në ndeshje zyrtare, 36 gola nga 558 që ka pësuar në karrierën e tij si profesionist. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 November 2012 10:41