Interi është kthyer përsëri në garë për një vend në Ligën e Kampioneve duke mbajtur gjallë shpresat për të arritur Milanin e vendit të tretë, pasi ka mundur 2-0 Sampdorian në ndeshjen e prapambetur të Serisë A.
Zikaltërit këtë radhë janë treguar cinikë, ashtu siç kërkon Stramaçioni, duke shfrytëzuar rastin e vetëm të mirë që kishte në pjesën e parë Palacio, në minutën e 43-të, pasi i kishin lënë Sampdorias kontrollin e lojës për pjesën më të madhe të 45 minutave.
Edhe në pjesën e dytë, është Sampdoria që krijon më shumë raste dhe është Interi që shfrytëzon kundërsulmin në mënyrë perfekte. Zikaltërit administrojnë me kujdes rezultatin dhe në minutën e 93-të dyfishojnë përsëri shifrat me Palacion, i aftë për të kaluar mbrojtjen e vendasve, ku ra në sy aktivizimi për të dytën ndeshje radhazi i mbrojtësit Shkodran Mustafi.
Ndonëse zikaltërit janë ende 7 pikë larg Milanit, ata vazhdojnë të shpresojnë se mund të arrijnë kuqezinjtë dhe të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 April 2013 21:11