Interi nuk ka arritur të mbajë hapin e Juventusit dhe tashmë e sheh veten 9 pikë larg bardhezinjve, pas një tjetër gabimi në shtëpi, barazimit 1-1 me Xhenoan. Në një sfidë mjaft delikate, zikaltërit e Stramaçionit nuk janë shfaqur në lartësinë e duhur dhe me këtë rezultat i kanë lëshuar vendin e dytë në renditje skuadrës së Lacios.
Interi është shfaqur pa shumë ide, edhe pse Stramaçioni kishte hedhur në fushë një formacion shumë ofensiv me tredhëmbëshin Milito-Kasano-Palacio. Përkundrazi, është Xhanoa që krijon disa raste të rrezikshme me të riun Imobile, që përfiton nga përgjumjet e herëpashershme të mbrojtjes vendase. Pikërisht sulmuesi i ri është ai që shënon golin e avantazhit për Xhenoan, por fatmirësisht për Stramaçionin, Kambiaso arrin të shënojë pak minuta më vonë, duke evituar një humbje që do të kishte qenë shumë e dëmshme për moralin e zikaltërve para pushimeve të fundvitit.
Vendi i dytë në Serinë A mbahet tani nga Lacio, që ka mundur 1-0 Sampdorian në fushën e kësaj të fundit dhe kur ka mbërritur thuajse në gjysmën e kampionatit, e sheh veten në vendin e dytë në klasifikim, 8 pikë pas Juventusit kryesues. Skuadra e Petkoviç ka qenë mjaft cinike deri tani, duke mos lënë shumë pikë rrugës dhe duket e çuditshme se si thuajse askush nuk e cilëson në të njëjtin nivel me ekipet e tjera të mëdha, pavarësisht provave të vazhdueshme që po jep ndeshje pas ndeshje.
Nota pozitive edhe për Fiorentinën dhe Napolin, që kanë fituar përsëri dhe arrijnë të mbajnë hapin e kreut, duke qenë plotësisht në grupin e skuadrave që luftojnë për renditjen në zonën e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 18 / Rezultatet
Inter-Xhenoa 1-1
76’ Imobile, 85’ Kambiaso
Sampdoria-Lacio 0-1
31’ Hernanes
Bolonja-Parma 1-2
55’ Sorensen / 57’ Valdes, 66’ Sansone
Palermo-Fiorentina 0-3
50’, 83’ (p) Jovetiç, 88’ (p) Rodriguez
Atalanta-Udineze 1-1
40’ (p) Denis / 34’ Muriel
Siena-Napoli 0-2
86’ Maxhio, 88’ (p) Kavani
Torino-Kievo 2-0
12’ (ag) Sardo, 26’ Gazi
Saturday, 22 December 2012 17:33