Interi ka bërë atë që për 49 ndeshje nuk ka arritur ta bëjë askush në kampionatin italian, ka mundur Juventusin. Suksesi i zikaltërve ka qenë shumë më i ëmbël për faktin se fitorja 3-1 ka ardhur pikërisht në fushën e kampionëve të Italisë, e për më tepër duke përmbysur një rezultat të ndërtuar edhe falë ndihmës së gjyqtarëve.
Ndeshja fillon si mos më keq për skuadrën e Stramaçionit, duke pësuar gol pas 18 sekondash, pasi Vidal depërton në zonë dhe mposht Handanoviç. Por ky gol duhej anuluan nga vijërojtësi, pasi Asamoah që dha pasimin, ishte në pozicion jashtë loje në momentin kur mori topin. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjyqtari Taljavento fal Lihtshtajner, duke mos i dhënë karton të kuq futbollistit zviceran, një lëvizje që pritet të shkaktojë polemika gjatë të gjithë javës.
Por për të shuar këto polemika të mundshme ka menduar vetë Interi, që në pjesën e dytë ka marrë në kontroll ndeshjen duke kërkuar me ngulm jo vetëm barazimin, por edhe fitoren. Barazimi ka ardhur pas një penalltie të fituar dhe të transformuar nga Milito në minutën e 59-të. Argjentinasi është autor edhe i golit të avantazhit për zikaltërit, pas një kundërsulmi model të Guarin në minutën e 76-të, duke ngrirë “Juventus Stadium” dhe tifozët e pranishëm. Ndërsa Juventus u zgjua përsëri dhe tentoi të gjente në të gjitha mënyrat golin e barazimit, duke i shkuar afër me Kualjarela e Bendtner, Interi gjen edhe golin e tretë me një kundërsulm të finalizuar nga Palacio, që vendos rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Rënia e mitit të Juventus i ka dhënë një drejtim tjetër kampionatit italian, ku tashmë Interi ka edhe avantazhin psikologjik për të kërkuar që të arrijë bardhezinjtë në kreun e klasifikimit, ku ata kamë tashmë vetëm 1 pikë më shumë.
Ndërkohë, në takimin tjetër të të shtunës, Milani ka fituar me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Kievos, duke u kthyer këtë radhë në skuadrën e frikshme të edicioneve të kaluara. Rezultati ka ndihmuar kuqezinjtë që për herë të parë në këtë sezon të shohin veten mes 10 skuadrave të para në renditjen e Serisë A. (LajmeShqip.com)
Seria A
Java 10 / Rezultatet
Milan-Kievo 5-1
16’ Emanuelson, 36’ Montolivo, 41’ Bojan, 75’ El Sharaui, 90’ Pacini / 18’ Pelisier
Juventus-Inter 1-3
1’ Vidal / 59’ (p), 76’ Milito, 89’ Palacio
Saturday, 03 November 2012 22:57