Horge Lorenco me Jamaha siguroi titullin e tij të dytë kampion në botërorin e MotoGP duke u renditur i dyti pas Kejsi Stoner në çmimin e Madh të Australisë në Filip Ajlend. Titulli kampion u vendos që me fillimin e xhiros së dytë të garës, kur rivali i vetëm i Lorencos në luftën për titull, Dani Pedrosa, u rrëzua ndërsa kryesonte garën.
Thuajse të gjithë emocionet e kësaj gare ishin në këto dy xhiro të para. Fillimisht Lorenco mori kryesimin, por më pas u kalua si nga Pedrosa, ashtu edhe nga Stoner, me të dy motorët Honda që ishin më të shpejtë se spanjolli i Jamahas. Por dëshira për të fituar e Pedrosës këtë radhë e dëmtoi atë, pasi në fillimin e xhiros së dytë, ai u rrëzua ndërsa doli jashtë piste, duke i dhënë fund luftës për titull dhe duke u kthyer i përlotur në bokset e skuadrës.
Më pas, gara nuk ka patur histori, pasi Stoner ka masakruar rivalët në pistën e shtëpisë ku fiton pa ndërprerje që nga viti 2007, ndërsa Lorenco ka vendosur të ruajë me qetësi vendin e dytë, duke parë që tashmë ishte shpallur kampion bote falë një diference prej 43 pikësh ndaj Pedrosa kur ka mbetur edhe një garë për t’u zhvilluar.
Vendi i tretë i shkoi Kal Kraçlou me Jamaha Tek 3, i cili zhvilloi gjithashtu një garë i vetmuar, pasi i ishte shkëputur grupit të madh të pilotëve. Shoku i tij i skuadrës, Andrea Doviciozo mori vendin e katërt, para Alvaro Bautista dhe Stefan Bradl. Valentino Rosi mori vetëm vendin e shtatë, para shokut të skuadrës Niki Hejden, të dy shumë larg çdo pretendimi në këtë garë. (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit MotoGP
350 Horge Lorenco
307 Dani Pedrosa
238 Kejsi Stoner
208 Andrea Doviciozo
165 Alvaro Bautista
157 Valentino Rosi
151 Kal Kraçlou
135 Stefan Bradl
122 Niki Hejden
88 Ben Spis
Sunday, 28 October 2012 11:21