Roi Hodgson nuk ka ngurruar të ironizojë me Italinë para përballjes së Anglisë pikërisht me të kaltrit në çerekfinalet e Euro 2012. Trajneri i Anglisë mendon se italianët nuk kanë një identitet të tyre në lojë dhe këtë e ka lënë të kuptohet kur ka refuzuar zërat se “tre luanët” aktualisht po luajnë sipas mënyrës italiane.
“Nuk e di me saktësi se çfarë do të thotë, duhet të ma shpjegoni më mirë. Çfarë cilësish duhet të ketë një skuadër angleze që të cilësohet e tillë? Nuk arrij të gjej një përgjigje për pyetjen tuaj”, ka qenë shprehja e Hodgson, i cili nuk ka pranuar gjithashtu t’i përgjigjet pyetjeve për “golin fantazmë” në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Sipas tij, një nga lojtarët më të rrezikshëm në këtë ndeshje është pikërisht Mario Baloteli, sulmuesi shumë i diskutuar i Mançester Sitit, që ka bërë bujë më shumë me sjelljet jashtë fushe.
“Baloteli është një lojtar shumë i mirë, një futbollist i rrezikshëm. Duhet të kemi shumë kujdes ndaj tij dhe lëvizjeve që bën. E njohim mirë pasi e kemi parë në kampionatin anglez, jemi të ndërgjegjshëm për cilësitë që ka dhe shpresojmë që të arrijmë ta ndalojmë”, vijoi ai.
“Për ne do të jetë e rëndësishme të gjejmë formën më të mirë dhe të luajmë ashtu si në ndeshjet e kaluara. Do të jetë shumë e rëndësishme të kontrollojmë ne lojën, pasi e dimë se Italia mund të jetë shumë e rrezikshme nëse i lejojmë që të jenë ata në kontroll të lojës”. (LajmeShqip.com)
Çerekfinalet
R. Çeke-Portugali 0-1
79’ Kristiano Ronaldo
Gjermani-Greqi 4-2
39’ Lahm, 61’ Kedira, 68’ Klose, 74’ Reus / 55’ Samaras, 89’ (p) Salpingidis
Spanjë-Francë 2-0
19’, 90’+1’ (p) Ksabi Alonso
24.06.2012
Angli-Itali 20:45
Gjyqtar: Pedro Proença (Portugali)
Kiev
Gjysmëfinalet
27.06.2012
Portugali-Spanjë 20:45
28.06.2012
Gjermani-Angli/Itali 20:45
Sunday, 24 June 2012 09:27