Shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve ka vënë përballë Bajern Mynih dhe Barcelonën, në atë që mediat botërore kanë filluar ta cilësojnë si “ndeshja e Guardiolës”. Por trajneri i bavarezëve, Jup Heinkes, ka deklaruar ashtu si drejtuesit e këtij klubi se nuk do të kërkojë këshilla nga trajneri spanjoll që do të zërë vendin e tij në sezonin e ardhshëm.
“T’i telefonoj Pep? Ju lutem, respektoni punën time! Asnjëherë nuk jam konsultuar me askënd për asgjë që të përgatit një ndeshje. Nuk kam nevojë për asgjë”, ishte komenti i prerë i Heinkes për mediat gjermane pas shortit të aktivitetit.
Ai ka pranuar se kjo është një përballje e vështirë, por gjithashtu entuziazmuese ndaj një skuadre shumë të fortë në arenën ndërkombëtare.
“Bajern kundër Barçës do të jetë një sfidë gjigantësh. Për ne do të jetë një kënaqësi të luajmë ndaj këtij ekipi që ka entuziazmuar dhe dominuar Evropën në 4 vitet e fundit me futbollin e vet krijues dhe fantastik”, deklaroi trajneri gjerman.
Thirrje për kujdes ka bërë edhe Arjen Roben, një nga armët më të forta të ofensivës së Bajern, i cili këtë radhë mendon se skuadra duhet t’i japë pak më shumë prioritet mbrojtjes përballë katalanasve.
“Mua shorti më duket fantastik. Katër ekipet më të mira evropianë janë në gjysmëfinale por ne mund të kalojmë cilindo prej tyre. Gjysmëfinalet do të vendasen nga detaje të vogla. Do të duhet të kërkojmë një rezultat të mirë në “Allianz Arena” dhe të bëjmë një punë mbrojtëse pa asnjë gabim në ndeshjen e kthimit”, komentoi mesfushori holandez. (LajmeShqip.com)
Friday, 12 April 2013 18:44