Sportistët kosovarë do ta kenë mundësinë dhe privilegjin të ushtrojnë dhe mësojnë nga ekspertë të njohur botërorë. Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është në biseda të vazhdueshme me Solidaritetin Olimpik, i cili do ta mundësojë dhe financojë këtë projekt, në mënyrë që sportistët kosovarë t’i përmirësojnë performancat e tyre.
Kreu i KOK-ut, Besim Hasani, tregon se shumë sportistë do të përfitojnë nga ky projekt, i cili duhet të vihet në funksion nga muaji i ardhshëm.
Në fakt, Solidariteti Olimpik është i gatshëm të ndihmojë në këtë drejtim, siç kishte premtuar edhe më herët. Me këtë rast, ekspertët do të qëndronin në vendin tonë nga 1 javë deri në 6 muaj për sportet më specifike, varësisht nga nevoja, për ta derdhur njohurinë e tyre tek trajnerët dhe garuesit kosovarë.
“Jemi në proces e sipër. Kur ishim në Tbilisi patëm biseda me përfaqësues të lartë të Solidaritetit Olimpik, me të cilët diskutuam rreth domosdoshmërisë së ngritjes së kapaciteteve të sportistëve dhe trajnerëve kosovarë”, u shpreh fillimisht Hasani për Gazetën “Zëri”.
“Ata u shprehën të gatshëm të na ndihmojnë dhe në bashkëpunim me federatat sportive në Kosovë do të vendosim prej shtatorit e tutje se në cilat sporte të sjellim ekspertë për ngritje të cilësisë, të cilët do t’i mësojnë trajnerët, por edhe garuesit”, shpjegoi ai.
Hasani shtoi se nuk është gjithçka e lehtë, pasi janë disa sporte në vend ku infrastruktura nuk është në nivelin e duhur si në not, atletikë, gjimnastikë etj. Por, vijon ai, duhet gjetur alternativa dhe duhen bërë improvizime të fushave.
Monday, 17 August 2015 18:20