Didier Drogba, sulmuesi i Gallatasarajit, ka treguar për mediat turke se brenda një muaji ka kuptuar se Fatih Terim ka ngjashmëri shumë të mëdha me Zhoze Murinjon, të cilin këtë javë do ta ketë si kundërshtar në Ligën e Kampioneve.
“Murinjon e kam si babain tim. Ai ka një vend të veçantë në jetën time pasi ma ndryshoi krejtësisht atë”, deklaroi futbollisti nga Bregu i Fildishtë për “Galatasaray Magazine”.
“Kam shumë kujtime nga Murinjo. Shpesh, te Çelsi, shënoja dy gola në ndeshje, ndërsa ne ato herë kur nuk shënoja, më thoshte të rrija i qetë, sepse shpesh edhe pa shënuar mund të isha lojtari më i mirë i ndeshjes”.
Sipas Drogba, krahasimi mes Murinjos dhe Terim është shumë i goditur, pasi ngjashmëritë janë shumë të mëdha mes këtyre dy trajnerëve.
“Murinjo sforcohet për të nxjerrë maksimumin nga cilido lojtar. Kjo është një nga pikat ku Terim ngjan shumë me të. Ai është shumë afër lojtarëve dhe flet gjithmonë me ne. Faktori psikologjik është shumë i rëndësishëm në futboll dhe në këtë aspekt, Terim është jashtëzakonisht i kujdesshëm”, shpjegoi Drogba.
Lojtari do të kthehet përsëri në arenën e madhe të Ligës së Kampioneve, në “Santiago Bernabeu”, stadiumin ku ka disa kujtime të bukura të karrierës së tij.
“Ndeshja në “Santiago Bernabeu” do të jetë shumë e veçantë për mua. Aty kam luajtur ndeshjen time të parë në Ligën e Kampioneve dhe shënova një gol përballë “galaktikëve” të Realit, por u mundëm 4-2. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë, pasi ishte një pjesë shumë e rëndësishme e karrierës time”. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 April 2013 10:27