Besart Berisha vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në kampionatin australian të futbollit. Sulmuesi shqiptar, në pritje të finalizimit të dënimi të dhënë nga Federata Australiane, ka mundur të zbresë në fushë këtë fundjavë dhe ta shtyjë pezullimin për javën e ardhshme falë apelimit që ka bërë skuadra.
Duket se kjo lëvizje e Brisbein ka qenë e suksesshme, pasi lojtari shqiptar ishte protagonist absolut i ndeshjes së barazuar 1-1 në fushën e Melburn. Ekipi vendas ka kaluar i pari në avantazh, pas një aksioni ku topin e ka humbur pikërisht sulmuesi shqiptar. Më pas ky i fundit ka patur mundësinë të barazojë shifrat, por 11-metërshi i gjuajtur prej tij ka përfunduar mbi traversë.
Megjithatë, në minutën e 70-të, pas një aksioni rokambolesk, topi ka përfunduar te Berisha i cili me kokë e ka dërguar në rrjetë, duke shënuar golin e tij të 11-të në kampionat. Falë golave të sulmuesit shqiptar, Brisbein Roar vazhdon të mbetet në vendin e dytë në renditjen e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 21 January 2012 15:57