Besart Berisha po përjeton sezonin më të mirë të karrierës së tij. Sulmuesi shqiptar ka qenë përsëri protagonist në fitoren 3-2 të Brisbein ndaj Melburn Viktori duke shënuar 2 gola në këtë ndeshje.
Vetëm tre ditë pasi ka rinovuar kontratën e tij me klubin australian, Berisha ka gjetur mënyrën më të mirë për të falënderuar klubin dhe për të festuar, duke shënuar dy gola në një ndeshje që pritej të ishte mjaft e vështirë pasi përballë gjendej as më shumë e as më pak po Herri Kjuell, një nga legjendat e futbollit australian.
Megjithatë, sulmuesi shqiptar ka arritur të tregojë talentin e tij duke e dërgua topin në rrjetë që në sekondën e 42-të të ndeshjes me një sllallom mes mbrojtjes kundërshtare. Kundërpërgjigja e ekipit mik vjen me Herri Kjuell vetëm 7 minuta më vonë, por është përsëri sulmuesi shqiptar që tregohet vendimtar me lojën e tij duk shënuar golin e dytë në minutën e 32-të, për ta kaluar përsëri Brisbein në avantazh. Një penallti e Henrike çoi avantazhin në 3-2, para se Kjuell të shënonte golin e dytë personal për të shkurtuar diferencën, por pa arritur t’i marrë suksesin Brisbein.
Me këto dy gola, Berisha ngjitet në kuotën e 15 rrjetave të tundura për këtë sezon në vetë 22 ndeshje, duke treguar se po përjeton vitin e artë të karrierës së tij. Duket e pabesueshme se si me një formë të tillë, ai nuk merret në konsideratë nga drejtuesit e kombëtares shqiptare të futbollit, të cilët kanë nxjerrë si justifikim distancën e largët nga Australia në Evropë. Çuditërisht, ata harrojnë se sulmuesi tjetër i kësaj përfaqësueseje, Hamdi Salihi, që nga muaji i ardhshëm do të luajë në SHBA. (LajmeShqip.com)
Saturday, 18 February 2012 12:13